Në Korçë, shëtitja në bulevardin qëndror të qytetit, ka qënë të paktën për njëqind vjetët e fundit, një prej mënyrave kryesore dhe në kohë të caktuara mbase e vetmja, e çlodhjes, e qetësimit shpirtëror, e argëtimit, e marrëdhënieve shoqërore, për qytetarët tanë.
Bulevardi, xhiroja pra që bëhej në të, ose më thjesht, shëtitja ec e jakë aty, ka qënë vëndi më i përshtatshëm i bisedimit, i diskutimit, i njohjes, i thashethemeve, i dhënie – marrjeve, i mësimit të të rejave, etj, etj, për qytetin tonë. Ne u rritëm me xhiron dhe po ashtu edhe prindërit tanë, e në mos edhe gjyshërit tanë po ashtu.
Të flasësh për xhiron e Korçës nuk është një gjë e thjeshtë. Një analizë e hollësishme për të, sigurisht që do të kërkonte, njohuri historike, dije social – psikologjike dhe deri fantazi ekonomike, pra një imagjinatë dhe kulturë të gjithanshme, enciklopedike.
Nuk është Korça që e ka zbuluar këtë lloj terapie shoqërore. Rrënjët e saj gjenden kudo, në Paris, në Berlin, në Athinë, në Bukuresht, në Vjenë, etj. Xhiroja pra është historikisht e mbarënjohur madje, që në kohët më të lashta, në Athinën e vjetër dhe në Romën e romakëve.
Në xhiro e sipër, aty në Agoranë e Athinës së lashtë, a në Stoa rrëzë Akropolit, Sokrati pat’ diskutuar probleme nga më të vështirat filozofike, ndërsa Aristoteli edhe më fort akoma, gjithë filozofinë e tij e zhvillonte me nxënësit, më këmbë, në xhiro (Liceu Peripatitik). Por përpara se të filloj të futem në analiza dhe të dhëna, e shoh të arsyeshme, të sqaroj njëherë, etimologjinë e këtij proçesi që ne e quajmë xhiro dhe që thjesht mund që të quhej edhe shëtitje.
Së pari duhet të themi se fjala xhiro, vjen prej italishtes, girare = me vërtitur por, edhe me erdhur rrotull dhe, giro = rreth, qark, rrotullim, vërtitje. Duket pra se, me qënë që njerëzit vinin rreth, në të njëjtin itinerar, vajtje dhe kthim në vazhdim, është kjo arsyeja pra, që ky proçes u quajt xhiro. Pra xhiroja për ne në Korçë, është një lloj shëtitjeje e veçantë, karakteristike. Vetëm fjala xhiro e mbush kuptimin e kësaj lloj shëtitjeje, ndaj dhe ne theshim, “takohemi në xhiro” dhe ne nuk theshim kurrë, takohemi në shëtitje.
Anglezët e kohëve viktoriane – Victorian era, xhiron tonë e quanin walking ose thjesht walk, ndërsa francezët e kohëve të bukura – de la Belle Epoque, e quanin promenade. Spanjollët vëndin ku bëjnë xhiro e quajnë, esplanada ndërsa grekët e Athinës dhe të Selenikut, xhiron dikur e quanin, peripato, dhe më pas e emërtuan volta, fjalë kjo italiane që e përkthyer do të thotë edhe kjo xhiro, rrotullim, vërtitje. Fjala peripato për xhiron dëgjohej dikur edhe në Korçë sidomos prej më të vjetërve.
Në Korçë ne xhiron e bënim në bulevard, nga teatri në kinema Morava, prej këtej në Lëndina e Lotëve dhe kthim. Verës pastaj xhiroja bëhej edhe më e gjatë dhe përfshinte edhe bulevradin e Parkut të RinisëNë Kubë, në Havanë, bëhet xhiro në Malecon një esplanadë e madhe kjo buzë detit, shumë e bukur rreth 8 km e gjatë. Në Paris xhiroja bëhet tek, Esplanade La Defense, ndërsa në Nicë bëhet në Promenade des Anglais e cila quhet ende kështu, qysh prej shek. 18-të, kur anglezët e pasur që kalonin dimrin në Nicë, bënin aty a walk, pra një xhiro. Në Tel Aviv bëhet në, Tel Aviv Promenade, ndërsa në Selenik në Paralia, pra buzë detit Egje. Në Ontario bëhet në Bell Park, në Riga në Esplanadë, në Budapest në Danube Promenade, në Dresden në Beruhl Terrace, në Berlin tek blirët – Unter dem Linden, etj, etj.
Nuk dihet se kur filloj në Korçë, të behej xhiro. Ndoshta njohja e kohës se kur mund të jenë shkruajtur vargjet: “Bulevardi i Korçës ka vajza pa masë, dalin e shëtisin pa lejën e mamasë”, etj, .. . do të mund të na hidhte dritë me përafërsi se kur filloi xhiroja në qytetin tonë. Pavarësisht, një gjë është e sigurtë. Xhiroja është karakteristikë e një shoqërie qytetare të zhvilluar dhe ka shumë mundësi, që Korça ta ketë filluar xhiron si traditë, diku aty, pas mesit të shek të 19-të, atëhere pra kur qyteti ynë filloi të shquhej për shkolla dhe sidomos si qendër e zhvilluar tregtare, me pazar të madh dhe me emigracion të fortë në Rumani dhe Misir.
Sido që të jetë, xhiroja tek ne pasi lindi, u bë thelbësore dhe jetike për qytetin tonë.Xhiroja vazhdoi etshëm edhe në periudhën e artë të Korçës, pra në periudhën midis dy luftërave. Në atë kohë, në xhiro dilte i gjithë qyteti, të varfër, të pasur, të rinj, pleq, studentë, puntorë, të thjeshtët, seriozët, sqimatarët, me një fjalë gjithçka kish qyteti ynë. Profesori i njohur, Spiro Konda mblidhte studentët e liceut dhe në xhiro, filozofonin duke të rikujtuar kështu shkollën peripatetike shëtitëse, në xhiro e sipër), filozofike të Aristotelit.
Xhiroja vazhdoi e fortë edhe në kohën e komunzmit, madje në atë kohë, ishte edhe e vetmja mënyrë masive për tu çlodhur, dhe pastaj filloi disi të zbehet, pas vitit 1991. Xhiroja kish mënyrën e vet sesi kryhej, kish kohën e vet, itinerarin e vet, kish botën e vet psikologjike, botën e vet ekonomike, kish ngjyrat e veta shoqërore dhe politike, xhiroja kish terminologjinë e vet, kish aktorët dhe spektatorët, kish statistikën e vet madje edhe matematikën e vet, (kurbat dhe ndofta edhe funksionet e veta algjebrike), etj, etj, të cilat do t’i shohim në vazhdim, aq sa do të mundim.
Mbi një këndvështrim më shkencor të xhiros. Xhiroja e Korçës sipas itinerarit nga kinoteatri në Lëndina e lotëve, vajtje – ardhje, zhvillohej në një gjatësi rreth 2.5 km. Pra në dy xhiro kryheshin 5km rrugë, ose në një muaj (përllogaritur për mesatarisht, 20 ditë xhiro në muaj ) kryhej distanca rreth 100 km, në një vit me përafërsi (përllogaritur për thuaj se 10 muaj xhiro në vit) 1000 km dhe për 20 vjet, afërsisht 20 mijë km. Një cikël nëpër Europë, sipas këtyre qyteteve, Sofje – Helsinki – Amsterdam – Lisbonë – Sofje është rreth, 8 mijë km.
Pra, sipas këtyre përllogaritjeve teorike, aproksimative, një i moshuar, duke bërë xhiro nëpër Korçë, sipas ritmeve kohore që përmëndëm pak më lart, i bie t’i ketë erdhur përqark Europës më këmbë, mbi dy herë. Ndërkaq, duke marë me përafërsi, për 1m linear të bulevardit, 8 veta në xhiro, del se në gjithë distancën prej 1250 m (kinoteatër – L. lotëve) të paktën në kohën e pikut të xhiros (në muajt, korrik – gusht) në Korçë ishin në bulevard rreth 10 mijë veta, pa llogaritur këtu trotuaret. Pra rreth 1/5 e qytetit në atë kohë ishte në bulevard.
Gjithashtu, bazuar në të tjera këndvështrime, mund të bëhen përllogaritje kalorifike dhe prej këtej, mund të kalohet pastaj në përllogaritjen e konceptit fizik të punës së kryer për një diagramë kohore si më sipër dhe rezultati, të krahasohet në format nga më të ndryshme. E njëjta gjë duhet thënë edhe për studime të tjera të mundëshme dhe përngjasuese, nën prizmin e fizikës së lëvizjes së rrjedhjeve, të informatikës dhe sidomos nën këndvështrimet e njërës prej shkencave më të reja sot, të memetikës.