Shërbimet e Policisë së Maliqit kanë finalizuar arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, një 20-vjeçar dhe një të mitur 15 vjeç, të dyshuar për vjedhje gjatë natës në banesën e një të moshuari 87 vjeç. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, të rinjtë dyshohet se kanë marrë një pajisje elektrike, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se katër ditë më parë, ata kanë kryer edhe një tjetër vjedhje në banesën e shtetasit N. B., ku kanë marrë vegla pune dhe sende të ndryshme shtëpiake.
Ndërkohë, lidhur me aksidentin e ndodhur një ditë më parë në aksin “Korçë–Ersekë”, autoritetet bënë me dije se është arrestuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. D., 54 vjeç, banues në fshatin Ravoik. Ai akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, pasi si pasojë e përplasjes mbeti e dëmtuar një grua 65 vjeç.
Po ashtu, është proceduar penalisht shtetasi B. C., 21 vjeç, nga fshati Vashtmi, i cili në zonën e Klocës ka aksidentuar lehtë një 68-vjeçare, ndërhyrje që fatmirësisht nuk solli pasoja të rënda.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.


