Dy raste të kontrabandës së mallrave janë zbuluar dhe goditur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Korçës, si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera mbi bazën e analizës së riskut. Në përfundim të veprimeve procedurale, janë proceduar penalisht dy shtetas të dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Sipas burimeve zyrtare, në rastin e parë është ndaluar shtetasi F. A., 44 vjeç, banues në fshatin Velitërnë, i cili në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, u kap duke transportuar një sasi vaji dhe dy bagëti të imta, të cilat nuk i kishte deklaruar në organet doganore.
Ndërsa në rastin e dytë, shërbimet e Seksionit për Hetimin dhe ZMPKT kanë konstatuar pranë kufirit, në aksin rrugor “Kapshticë–Bilisht”, automjetin e drejtuar nga shtetasi Q. Xh., 47 vjeç, banues në Pogradec, brenda të cilit u gjet një sasi vaji pa faturë blerjeje.
Mallrat e evidentuara në të dy rastet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa dokumentacioni proceduror iu përcoll Prokurorisë së Korçës, për vijimin e hetimeve të mëtejshme.
Autoritetet kufitare deklarojnë se kontrolle të tilla do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha akset dhe pikat hyrëse e dalëse të vendit, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e sigurisë kufitare.


