Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë njofton se shërbimet e Policisë Kufitare kanë goditur një rast të tentativës për kontrabandë me mallra që i nënshtrohen akcizës.
Dy vëllezër, banues në Bilisht, u kapën në flagrancë në hyrje të Republikës së Shqipërisë, pasi tentuan të futnin dhjetëra steka me cigare, pa fatura blerjeje dhe të padeklaruara. Mallrat e dyshuara u sekuestruan nga policia.
Pas veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve R. T., 43 vjeç dhe K. T., 47 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akciza ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës.