Pas një hetimi të gjatë 18-mujor, Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizoi operacionin policor të koduar “Green Code”, duke zbuluar abuzime të rënda me fondet e skemës kombëtare të mbështetjes për fermerët.
Operacioni çoi në pezullimin nga detyra të 8 punonjësve publikë: dy inspektorë të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe gjashtë veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë në Pogradec, ndërsa një inspektor tjetër i AZHBR-së u shpall në kërkim.
Hetimi ka zbuluar se zyrtarët dyshohet se pasqyronin të dhëna të rreme në aktet e kontrollit dhe verifikimit të fermave përfituese, duke mos kryer kontrollet në terren dhe duke lejuar përfitime të padrejta financiare. Për këtë favorizim, sipas burimeve zyrtare, ata dyshohet se përfitonin shuma korruptive që varionin nga 10 000 deri në 50 000 lekë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit.
Të pezulluar nga detyra
- A. M. (33 vjeç) dhe J. Z. (36 vjeç), banues në Tiranë, me detyrë inspektorë në AZHBR;
- D. Ç. (57 vjeç) dhe F. I. (54 vjeç), banues në Pogradec, veterinerë në Drejtorinë e Bujqësisë Pogradec.
Të proceduar për falsifikim dokumentesh
- E. Gj. (56 vjeçe), P. R. (66 vjeç), B. B. (28 vjeç) dhe E. F. (33 vjeç), të gjithë banues në Pogradec, me detyrë veterinerë shërbimi.
Në kërkim
- A. B. (48 vjeç), banues në Tiranë, inspektor i AZHBR-së, për “korrupsion pasiv” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Autoritetet njoftojnë se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë abuzimi dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme procedurale.


