Miratohet Buxheti i Bashkisë Korçë për vitin 2026 dhe Programi Buxhetor Afatmesëm 2026–2028
Këshilli Bashkiak Korçë ka miratuar në mbledhjen e fundit për këtë vit Buxhetin e Bashkisë për vitin 2026, si dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2026–2028, një dokument strategjik që përcakton drejtimet kryesore të zhvillimit të qytetit dhe njësive administrative në vitet e ardhshme.
Buxheti i miratuar është ndërtuar mbi parimet e transparencës, përgjegjshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke pasqyruar nevojat reale të komunitetit dhe prioritetet strategjike të Bashkisë Korçë.
Sipas dokumentit buxhetor, edhe në vitet në vijim fokusi kryesor do të mbetet zhvillimi i turizmit si motor ekonomik dhe si mënyrë për promovimin e vlerave kulturore dhe natyrore të zonës. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar mbështetjes së bujqësisë dhe zonave rurale, me synim rritjen e prodhimit bujqësor dhe përmirësimin e infrastrukturës. Po ashtu, parashikohen investime në teknologji dhe shërbime digjitale për një administratë më efikase dhe më pranë qytetarëve, si dhe në arsim e edukim, të konsideruara si themel për të ardhmen e brezave të rinj.
Paralelisht, Programi Buxhetor Afatmesëm 2026–2028 përcakton prioritetet e investimeve në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte që synojnë rritjen e cilësisë së jetës në çdo lagje dhe fshat të Bashkisë Korçë.
Miratimi i këtij buxheti vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt vazhdimit të punës për një Korçë më të zhvilluar, më moderne dhe më të jetueshme për të gjithë banorët.


