Bashkia Devoll, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ka nisur zbatimin e një projekti të rëndësishëm për ngritjen e Qendrës Rinore në qytetin e Bilishtit. Projekti synon të krijojë një hapësirë moderne dhe multifunksionale, të dedikuar për të rinjtë, arsimin dhe kulturën.
Qendra do të përfshijë:
Bibliotekën e re të qytetit, me ambiente bashkëkohore për lexim e studim, si dhe bibliotekë dixhitale me akses në libra online dhe audiobook.
Ambiente për trajnime, ekspozita dhe aktivitete kulturore, duke ofruar më shumë mundësi për zhvillimin e të rinjve.
Hapësira të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, me akses të garantuar përmes ashensorit dhe kushteve të nevojshme.
Një ekspozitë të përhershme interaktive, ku do të prezantohet natyra dhe kultura e Devollit nëpërmjet teknologjisë moderne.
Ky investim transformon një godinë ekzistuese në qendër të Bilishtit dhe e kthen atë në një pikë referimi për komunitetin, duke sjellë një qendër bashkëkohore ku arsimi, kultura dhe rinia ndërthuren.
Sipas Bashkisë Devoll, realizimi i këtij projekti është një hap i madh përpara drejt krijimit të hapësirave publike cilësore që i shërbejnë qytetarëve dhe sidomos brezit të ri.


