Kolanec, Maliq | 31 Maj, ora 10:00
Më 31 maj, në fshatin Kolanec, do të zhvillohet aktiviteti festiv “Qershi mbi Art dhe Trashëgimi në Maliq”, një ngjarje që synon të promovojë kulturën, traditën dhe produktet lokale, me theks të veçantë tek qershia, simbol i kësaj zone.
Aktiviteti organizohet nga Qendra “Tamara”, në bashkëpunim me Bashkinë Maliq dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Pritet të sjellë bashkë banorë, artizanë, artistë dhe vizitorë, në një festë ku do të ndërthuren shijet vendase me artin dhe trashëgiminë kulturore.
Përveç ekspozimit të produkteve bujqësore dhe artizanale, veçanërisht të qershive, aktiviteti do të përfshijë edhe shfaqje artistike, ekspozita, muzikë dhe aktivitete për fëmijë.


