Rritet ndjeshëm vizitueshmëria në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë
60% më shumë vizitorë gjatë muajit prill, pjesa më e madhe turistë të huaj.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë po kthehet në një nga destinacionet më të vizituara kulturore në Shqipëri, duke regjistruar një rritje të ndjeshme të vizitueshmërisë. Vetëm gjatë muajit prill të këtij viti, muzeu u vizitua nga 2544 persona, nga të cilët 839 ishin turistë të huaj, kryesisht nga Gjermania, Spanja dhe Franca. Krahasuar me prillin e një viti më parë, numri i vizitorëve është rritur me 60%.
Drejtoresha e institucionit, Fjoralba Prifti, ka bërë të ditur se nga janari deri në prill të këtij viti, Muzeu i Artit Mesjetar dhe ai i Arsimit, janë vizituar nga gjithsej 7733 persona, një shifër që dëshmon për rritjen e interesit ndaj trashëgimisë kulturore të kësaj zone.
Me nisjen e sezonit turistik veror, të dy muzetë do të jenë të hapur çdo ditë të javës, për të ofruar një eksperiencë të pasur dhe gjithëpërfshirëse për publikun vendas dhe të huaj.
I themeluar më 24 prill 1980, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ruan dhe ekspozon një nga koleksionet më të pasura të ikonografisë shqiptare.
Në fondin e tij ndodhen mbi 8,200 objekte, nga të cilat më shumë se 6,400 janë ikona dhe mbi 1200 objekte të tjera me vlera historike e etnografike, që përfaqësojnë artin, traditën dhe origjinalitetin e kulturës shqiptare ndër shekuj.


