Në kuadër të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, i cili zhvillohet për të 15-in vit radhazi në qytetin e Pogradecit, u mbajt premiera e dokumentarit “Rikthimi i Zonjave”.
Ky dokumentar ka në qendër vuajtjet dhe historikun e mundimshëm të grave në periudhën e komunizmit. Nëpërmjet rrëfimit të Fatime Haxhillari nga Arrza e Devollit, përcillet me saktësi udhëtimi i dhimbshëm që kaluan gratë e internuara në kampet famëkeqe të persekutimit në Shqipëri.
E mbijetuara e kampeve të Tepelenës, Valiasit dhe Kodër-Kamzës, sot në moshën 90-vjeçare, nëpërmjet këtij dokumentari rrëfen jetesën e vështirë që zonjat e dikurshme patën fatin e hidhur të kalonin.
Ky prodhim sjell në ekran kujtesën e një brezi grash të cilat, pavarësisht dhimbjes dhe vuajtjeve, mbetën shembuj të qëndresës dhe dinjitetit njerëzor.
Producenti i dokumentarit, njëherazi edhe nipi i personazhit kryesor të tij, rrëfen se ideja për këtë prodhim lindi që në fëmijëri, nga tregimet e familjes. Pikërisht këto kujtime e shtynë jo vetëm të mbledhë dëshmi dhe rrëfime të të mbijetuarve, por edhe të hulumtojë në arkivat e shtetit, duke u përqendruar në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, për metodat çnjerëzore të Diktaturës.
E lindur në internim, vajza e Fatimes tregon përjetimet e saj gjatë transmetimit të dokumentarit, të cilin e përshkruan si rrëfim të jetës së saj.
Në hollin e kinemasë u shfaq gjithashtu për herë të parë gjithë dokumentacioni i survejimit të Ish Sigurimit të Shtetit për Familjet Nurçe dhe Haxhillari, gjithashtu dhe fotografi të ruajtura me fanatizëm nga familja që dokumentojnë kalvarin e mundimshëm të kampeve famkeqe të interrnimit.