Korça mirëpriti me entuziazëm shfaqjen teatrale “THREE – Shfaqja e parë profesionale në gjuhën e shenjave për fëmijë”, një projekt novator që synon të lidhë botët dhe të promovojë përfshirjen sociale që në moshë të hershme. Fëmijët korçarë u përcollën me energji dhe kureshtje, duke përjetuar një eksperiencë artistike të veçantë ku arti u shndërrua në një mjet komunikimi universal.
Performanca kishte në fokus ndërtimin e urave mes fëmijëve të shurdhër ose me dëgjim të dëmtuar dhe bashkëmoshatarëve të tyre që dëgjojnë, duke i njohur me bazat e gjuhës së shenjave dhe duke i frymëzuar drejt një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Sipas organizatorëve, synimi është që brezat e rinj të rriten me ndërgjegjësim dhe empati, si ndërtues të një të nesërme më të barabartë.
Shfaqja “THREE” konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit të artit me edukimin dhe ndërgjegjësimin social, duke vendosur Korçën si shembull të promovimit të kulturës së përfshirjes.


