Qyteti i Ohrit ka tërhequr mijëra vizitorë nga Ballkani dhe më gjerë përmes koncerteve me artistë ndërkombëtarë, duke ngritur pikëpyetje mbi mungesën e emrave të mëdhenj botërorë në Festën e Birrës në Korçë.
Brenda pak ditësh, qyteti fqinj buzë liqenit është kthyer në qendrën kryesore muzikore të rajonit. Skena e Ohrit mirëpriti performancën e këngëtares me famë botërore, Rita Ora, e cila performoi në stadiumin “Biljanini Izvori”. Ky koncert u promovua gjerësisht si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore, duke pasuar një seri performancash nga artistë të tjerë të njohur ndërkombëtarë.
Kontrasti me Festën e Birrës në Korçë
Ndërsa Ohri po arrin të kthehet në një pol të rëndësishëm për turizmin muzikor përmes yjeve botërorë, vëmendja kthehet te qyteti i Korçës. Pavarësisht traditës së konsoliduar të Festës së Birrës, ky organizim ende nuk ka arritur të sjellë një emër të madh të përmasave të tilla ndërkombëtare. Kjo situatë ngre pikëpyetje në lidhje me arsyet pse nuk guxohet për të ftuar artistë të këtij kalibri, të cilët mund t’i japin një dimension të ri turizmit dhe jetës kulturore në qytetin juglindor.
Foto: Korça Blog


