Festa e Birrës e cila u mbajt për 5 net me radhë në Korçë mbushi plot qytetin juglindor, teksa të gjithë hotelet ishin të rezervuara, duke mos pasur asnjë shtrat të lirë për këto net festive.
“Në Korçë nuk ka asnjë shtrat të lirë. Gjithë hotelet e Korçës janë të rezervuara, brenda dhe jashtë saj, me vjen keq për ata që nuk mund të gjejnë hapësira. Korça është e tejmbushur dhe kjo festë shënon momentin kulmor të turizmit në Korçë”, thotë Benila Themeli, nënkryetarja e bashkisë Korçë.
Kolibri.al pyeti disa nga vizitorët që morën pjesë në këtë festë, teksa mbizotëronin emigrantët nga Greqia por edhe turistë të huaj, të ardhur posaçërisht për festën.
“Vij nga Franca, erdha me një mik shqiptar, është hera e parë këtu, me pëlqen atmosfera. Birrat janë fantastike dhe festa shumë energjike”, thotë një turist.
“Vij nga Spanja, hera e parë në Shqipëri, erdha për Festën e Birrës. Po më pëlqen shume ushqimi këtu dhe birrat. Këngëtarët japin shumë atmosferë”, shprehet një tjetër.
Festa e Birrës këtë vit solli këngëtarë të njohur botërorë, si grupi “No Mercy”, Despina Vandi, “La Bouche”, por edhe këngëtarë shqiptarë, të pëlqyer për publikun.


