Me keqardhje lexova lajmin se në zonën e Korçës, Maliqit, dhe Bilishtit breshëri goditi përsëri pa kursyer njeri. Nëse për dikë fermerët ndahen në të majtë dhe të djathtë, breshëri nuk do t’ia dijë për askënd.
Shkatërron çdo produkt dhe çdo shpresë që fermeri ka për të krijuar të ardhura për të shtyrë vitin.
Imagjino pak, ti që punon 30 ditë dhe pret të marrësh rrogën, vjen fundi i muajit dhe nuk paguhesh!
Imagjino sikur të kesh rrogën e 1 viti pa marrë dhe në fund ngelesh me gisht në gojë.
Dhe ti i hakërrehesh pronarit dhe kërkon të drejtën tënde sepse dikush ka përgjegjësi, duhet të paguhesh. Djersa e ballit duhet të vlerësohet. Ankohesh në instancat përgjegjëse, thërret median dhe i shkon deri në fund.
Po fermeri i shkretë kujt t’i hakërrehet: Zotit, qiellit, fatit apo zanatit?
Unë mendoj që duhet t’i hakërrehet politikës. Kësaj politike që e ka lënë në harresë. Kësaj politike që lekët e dhëna nga Europa për sisteme mbrojtëse me rrjeta apo sisteme vaditje me pika, i çuan për hotele, restorante etj.
Unë nuk jam kundër investimeve në infrastukturën akomoduese, por kjo histori nuk mund të përsëritet pafund. Pas çdo breshëri dalin 2-3 specialistë gjasme bëjnë përllogaritjen e dëmeve dhe kaq. As rimbursim, as sigurim të produktit dhe vetëm fjalë dhe premtime.
Unë, si anëtar i këshillit bashkiak të Korçës do të propozoj në Këshill ngritjen e grupi në nivel ekspertësh, ku të perfshihet Drejtoria e Bujqësisë, pedagoge të fushës dhe zyrtarë të Këshillit të Qarkut dhe pushtetit vendor për të vlerësuar situatën dhe përgatitjen e një plani për të minimizuar risqet nga situata tilla;
Ngritjen e një fondi emergjence nga Bashkia Korçë dhe Këshilli I Qarkut;
Ristrukturimin dhe rivitalizimin e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Korçë.
Partia Agrare Ambientaliste dhe unë si përfaqësues i saj do të jemi gjithmonë të fokusuar në evidentimin dhe zgjidhjen e problematikave të bujqësisë. Jeni të gjithë të lutur të jepni kontributin tuaj në lidhje me këtë çështje tejet sensitive.
Ju faleminderit,
Erald Fejzulla


