Personazh/ E moshuara 93 vjeçare në Sinicë të Devollit që sfidon vetminë dhe fatin e jetës me punë.
Në Sinicë të Devollit të sipërm, fshat me emër për traditat e tij të mira, mes banorëve të pakët që jetojnë atje, edhe më e rrallë ngjan qëndresa me fisnikëri e një të moshuare 93 vjeçare.
“Axhire Memelli, ose si i thërasim ne Aneja, e pritur dhe e respektuar, ndonëse i ka mbi supe 93 vite gëzon shëndet të plotë” shprehet i afërmi i saj Afrim Memelli.
Kjo e moshuar ka përjetuar sprova të rënda me humbjen herët të fëmijëve dhe të bashkëshortit, por me dinjitet i ka bërë ballë jetës.
Kujdesi i të afërmve të saj është ta vizitojnë hera-herës për ta parë nga ana shëndetësore, sepse 93 vjeçarja që banon e vetmuar përballon vetë çdo nevojë jetike si pastrimin dhe gatimin e pjekjen e bukëve. Tradita amvisash këto për të cilat janë shquar gratë devollite.
Nënat si Aneja, dhe jo vetëm ato, përfaqësojnë një nga kategoritë më të vetmuara në shoqërinë tonë. Ato janë shpesh gra që kanë kaluar një jetë të tërë duke kujdesur për të tjerët – fëmijë, familje, komunitet – dhe në një pikë, kur jeta përparon dhe fëmijët rriten apo largohen, ato përballen me boshllëkun dhe mungesën e shoqërisë që i kanë pasur më parë.
Kjo vetmi është shpesh e padukshme për të tjerët, pasi nënat e moshuara nuk kanë gjithmonë zërin ose fuqinë për ta artikuluar. Ndërkohë që shumë prej tyre jetojnë në heshtje, duke u përballur me ndjenjën e braktisjes ose me ndryshimet e shpejta në shoqëri, ato kërkojnë një formë mbështetjeje që shpesh mungon.
Për të ndryshuar këtë situatë, është thelbësore që familjet, komunitetet dhe strukturat sociale të ndërmarrin hapa për të përfshirë më shumë këto gra në jetën e përditshme dhe për t’u ofruar atyre mundësi për lidhje sociale dhe përkujdesje.


