60 fermerë në qarkun e Korçës do të përfitojnë 50% të vlerës së investimit për rrjeta anti-breshër, për ndërtimin e stallave dhe për mekanikë bujqësore.
Kjo në kuadër të skemës së investimeve e cila u çel gati dy muaj më parë nga qeveria shqiptare, në dispozicion të së cilës janë 15 milionë euro.
Pasi të përfundojë kontrolli administrativ i dokumentacionit për fermerët që kanë aplikuar, gjë e cila po kryhet nga specialistët e AZHBR në Tiranë, përfituesit do të njoftohen për të nisur edhe investimet e tyre, ku 50% e vlerës së investimit do të kryhet nga vetë ata dhe 50% do të financohet nga qeveria shqiptare përmes skemës së investimeve.
Kjo skemë mendohet se do të ndihmojë për zhvillimin e bujqësisë në vend duke lehtësuar fermerët të cilët dëshirojnë të investojnë në fermat e tyre.


