Deputetja e Partisë Socialiste, Eni Zake, ka reaguar në rrjetet sociale pas publikimit të listës së PS për Qarkun Korçë për zgjedhjet e 11 majit. Ajo ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj kryeministrit Edi Rama, Kryesisë së PS dhe drejtuesit politik të qarkut, Niko Peleshi, për besimin dhe mundësinë për të rikandiduar.
Zonja Zake thekson me krenari punën dhe angazhimin e saj gjatë këtyre katër viteve si përfaqësuese e qytetarëve të Korçës në Kuvend. Në fund, ajo kërkon sërish mbështetjen e socialistëve për të vijuar rrugën e progresit dhe zhvillimit në rajon.
Ja statusi i deputetes Zake:
Si pjesë e listës së hapur të Partisë Socialiste për Qarkun Korçë në zgjedhjet e 11 majit, dua të shpreh falenderimet e mia për besimin e mundësinë për të rikandiduar si deputete dhe për të qenë pjesë e ekipit fitues të Qarkut Korçë! Falenderime dhe mirënjohje të thella për Kryetarin e Partisë Edi Rama, Kryesinë e Partisë Socialiste dhe drejtuesin politik të qarkut Niko Peleshi !
Në këto 4 vite pata nderin dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar dhe për të qenë zëri i bashkëqytetarëve të mi, për të kontribuar në zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për çdo grupmoshë dhe kategori sociale. Mision që e kreva me përkushtim dhe integritet. Dhe kjo falë mbështetjes dhe besimit tuaj, që më bën të jem falenderuese dhe mirënjohëse ndaj gjithësecilit prej jush!
E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e çdo socialisti, e të gjithë anëtarëve të partisë socialiste dhe ekipeve drejtuese ku tashmë u bënë disa beteja që i kemi përballuar bashkë me sukses.
Puna dhe arritjet tona deri më tani janë dëshmi e lidhjes së fortë që ekziston mes besimit tuaj dhe punës e realizimeve tona. Prandaj, për të vazhduar në rrugën e progresit, kërkoj sërish besimin dhe mbështetjen tuaj në zgjedhjet e 11 majit, për t’i dhënë Korçës dhe Shqipërisë zhvillimin që meritojnë.


