Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, ka zhvilluar një takim me bizneset e Lagjes 9, ku ka diskutuar për idetë, propozimet dhe shqetësimet e tyre. Peleshi theksoi se PS ka mbështetur biznesin e vogël që prej fillimit me masa konkrete si zero taksa, heqja e TVSH-së deri në 100 mijë euro xhiro dhe rritja e kufirit deri në 140 mijë euro, masa që do të mbeten në fuqi deri në vitin 2029.
Në mandatin e katërt, sipas tij, do të nisë zbatimi i premtimit për një paqe fiskale të negociuar me biznesin, ku:
• Fitimi do të tatohet me 15% deri në nivelin e rritjes ekonomike.
• Fitimi shtesë do të tatohet me vetëm 5%.
Gjithashtu, ai bëri me dije se do të mobilizohen 3 miliardë euro për mbështetjen e bizneseve dhe do të krijohen deri në 100 mijë vende të reja pune.
Fushata e PS mbetet e fokusuar në objektivin “Shqipëria 2030 në BE”, duke theksuar se kjo është e mundur vetëm me Edin dhe PS-në.


