Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Drejtorinë e Bujqësisë në Bashkinë Maliq, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Shkodër ka ngritur një fushë të dytë eksperimentale për kulturën e misrit, këtë herë në fshatin Drithas.
Në këtë fushë janë mbjellë 30 hibride misri, të cilat do të jenë në fazë eksperimentimi gjatë gjithë sezonit, për të vlerësuar cilat prej tyre i përshtaten më së miri klimës dhe tokës së zonës së Maliqit. Synimi është që pas analizimit të rezultateve në vjeshtë, të sugjerohen hibride të certifikuara dhe me rendiment të lartë prodhimi për fermerët e zonës.
Sipas Arben Dulellarit, Drejtor i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë Maliq, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm për orientimin e fermerëve drejt kultivarëve më cilësorë dhe të përshtatshëm, duke ndihmuar kështu në rritjen e produktivitetit bujqësor.
Një tjetër fushë eksperimentale është ngritur më herët në fshatin Sheqeras, ku janë testuar 20 hibride misri me cikël të shkurtër dhe të mesëm. Këto eksperimente ndihmojnë për të pasur të dhëna konkrete mbi performancën e farërave në kushtet e veçanta të zonës së Maliqit.
Aktualisht, kultura e misrit në Maliq zë rreth 3500 hektarë, duke e bërë një nga zonat më të rëndësishme për prodhimin e misrit në qarkun e Korçës.


