Bashkia e Korçës ka kaluar në gatishmëri të plotë për të parandaluar dhe përballuar çdo situatë emergjente që mund të shkaktohet nga rënia e zjarreve gjatë muajve të nxehtë të verës.
Në kuadër të këtij angazhimi, janë zhvilluar takime me banorët dhe faktorët lokalë në njësitë administrative Bulgarec dhe Voskop, ku morën pjesë përfaqësues të Sektorit të Emergjencave Civile pranë Bashkisë Korçë, Shefi i Komisariatit të Policisë Korçë, kryepleqtë e fshatrave si dhe barinjtë që kullosin bagëtitë në këto zona.

Qëllimi i këtyre takimeve ishte ndërgjegjësimi dhe informimi për masat parandaluese ndaj zjarreve, të cilat përbëjnë një rrezik serioz gjatë sezonit të verës.
Bashkia njofton se takime të tilla ndërgjegjësuese do të vijojnë në ditët në vijim edhe në njësitë e tjera administrative të territorit të saj, si pjesë e një strategjie të gjerë për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e komunitetit lokal.


