Ish-zyrtari i lartë i pushtetit vendor, Nertil Jole, ka reaguar publikisht lidhur me mënyrën se si po zbatohet udhëzimi i kryeministrit Edi Rama për takimet javore të të zgjedhurve të Partisë Socialiste me qytetarët, duke adresuar kritika ndaj deputetëve dhe drejtuesve politikë në qarkun e Korçës.
Përmes një qëndrimi publik, Jole nërmend se dëgjimi i qytetarëve duhet të jetë një normë e detyrueshme dhe e vazhdueshme, jo një risi apo detyrim i imponuar me porosi nga lart. Ai vërejti se megjithëse udhëzimi parashikonte që këto takime të mos zhvilloheshin në prani të kamerave, në qarkun e Korçës kamerat fiksuan praninë e disa të zgjedhurve që në ditën e parë, sipas tij për të evidentuar pikërisht mungesën e tyre sistematike të deritanishme.
Përvoja personale dhe ndërtimi i besimit
Duke sjellë në vëmendje përvojën e tij gjatë shërbimit publik, Nertil Jole tregoi rastin e një qytetari të moshuar që e kishte vizituar në zyrë gjatë takimeve të mesjavës vetëm për t’u dëgjuar. Ai nërmend se besimi i qytetarëve nuk ndërtohet nga numri i takimeve apo prania në sallë kur ndizen kamerat, por nga koha cilësore dhe marrëdhënia e vazhdueshme që vazhdon edhe përtej mandateve zyrtare.
Debati për reformën territoriale Korçë-Maliq
Një pikë tjetër kyçe në reagimin e Joles lidhet me diskutimet për reformën e mundshme territoriale në juglindje, ku është përfolur bashkimi i mundshëm mes Bashkisë Korçë dhe Bashkisë Maliq. Ai kritikon faktin se ky debat është reduktuar vetëm në aspekte emocionale e historike, ndërsa vëmendja është përqendruar kryesisht te Maliqi, duke lënë mënjanë peshën dhe perspektivën e Korçës.
Sipas tij, asnjë nga të zgjedhurit lokalë dhe as drejtuesi politik i qarkut nuk kanë shprehur publikisht argumente pro apo kundër për këtë vendimmarrje të rëndësishme. Ai e cilësoi të papranueshëm disproporcionin mes angazhimit për promovimin e aktiviteve si Ditët e Birrës dhe mungesës së diskutimit serioz për çështje strategjike që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e komuniteteve të rajonit.


