Bashkia e Pustecit ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror, duke e kthyer këtë zonë të mrekullueshme në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për pushuesit nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

Ky sezon sjell një risi të veçantë për vizitorët: një plazh të ri publik, që i shtohet potencialit natyror dhe panoramave mahnitëse të liqenit të Prespës. Gjithashtu, për adhuruesit e aventurës dhe natyrës, është krijuar mundësia për të eksploruar zonën me kajak, një mënyrë unike për të përjetuar bukurinë e paprekur të Pustecit.

Kryetari i Bashkisë Pustec, z. Pali Kolefski, gjatë ceremonisë së hapjes u shpreh:
“Falë investimeve të vazhdueshme në infrastrukturë, përmirësimit të shërbimeve turistike dhe përkushtimit të komunitetit tonë, presim një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe një impuls të ri për zhvillimin ekonomik lokal.”

Çelja e sezonit u shoqërua me një panair me prodhime tipike të zonës, ku vizitorët patën mundësinë të shijojnë produkte bio dhe të njohin nga afër traditat artizanale dhe bujqësore të Pustecit.

Dashamirësit e natyrës, historisë dhe kulturës janë të ftuar të zbulojnë magjinë e Pustecit, një vend ku liqeni, mali dhe mikpritja ndërthuren në një përvojë të paharrueshme.


