Në një atmosferë festive dhe plot ngjyra, u zhvillua edicioni i parë i festës së fshatit Kolanec me moton “Qershi mbi art dhe trashëgimi”, një iniciativë e Bashkisë Maliq në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, që synon promovimin e trashëgimisë kulturore, kulinarisë dhe natyrës së pasur të zonës.

Kjo ngjarje u konceptua si një nismë për të kthyer fshatin Kolanec në një pikë referimi për turizmin rural dhe kulturor. Krahas bukurive natyrore, eventi solli në vëmendje vlerat autentike të zonës përmes ekspozimit të produkteve tradicionale, artizanatit lokal dhe performancave artistike.

“Ky është vetëm fillimi i një feste që synon të bëhet traditë. Kolaneci ka shumë për të ofruar dhe ne do të punojmë që ta bëjmë një destinacion të qëndrueshëm turistik,” – u shpreh Gëzim Topçiu, kryetar i Bashkisë Maliq.

Edhe organizatorja Brizida Gjikondi theksoi rëndësinë e këtij panairi për forcimin e identitetit kulturor dhe ekonomik të zonës, duke nënvizuar se përmes këtyre aktiviteteve synohet ringjallja e fshatrave dhe fuqizimi i komuniteteve lokale.

Festa u shoqërua nga një program artistik i larmishëm ku morën pjesë emra të njohur të muzikës shqiptare si Eranda Libohova dhe Kozma Dushi, ndërsa atmosfera folklorike u pasurua nga Ansambli Skënderbeu dhe grupi polifonik Agimi.

“Qershi mbi art dhe trashëgimi” shënon një hap të rëndësishëm drejt valorizimit të potencialit turistik dhe kulturor të Kolanecit dhe pritet të shndërrohet në një festë tradicionale të përvitshme që do të mbledhë gjithnjë e më shumë vizitorë dhe artistë.


