Në bashkinë e Maliqit ka nisur puna për ndërtimin e një shëtitoreje të re përgjatë segmentit nga kryqëzimi i Libonikut deri në zonën e poshtme të Drithasit. Ky investim synon të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët dhe të nxisë zhvillimin e turizmit në zonë.
Shëtitorja do të jetë e pajisur me korsi për biçikleta, trotuare për këmbësorët, ndriçim rrugor si dhe hapësira të gjelbëruara që do t’i japin më shumë bukuri dhe funksionalitet kësaj zone.

Sipas kryetarit të bashkisë, Gëzim Topçiu, kjo rrugë ka qenë prej kohësh problematike për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, është marrë vendimi për ta transformuar atë në një shëtitore moderne dhe të sigurt për të gjithë.
“Ndërhyrja sapo ka nisur me punimet e para për sistemimin dhe nivelimin e terrenit, dhe pritet që projekti të përfundojë në një afat të shkurtër,” u shpreh Topçiu.
Kjo shëtitore do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës, por edhe vizitorëve që udhëtojnë drejt destinacioneve natyrore si Pylli i Fazanëve, duke e bërë këtë segment një pikë të rëndësishme rekreative dhe turistike.


