Dardha, një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit malor në juglindje të Shqipërisë, po përfiton një investim të rëndësishëm në infrastrukturë.
Për të përballuar fluksin gjithnjë e më të madh të vizitorëve dhe për të përmirësuar jetën e përditshme të banorëve, në fshat po kryhen punime të reja rrugore, që ndërthurin funksionalitetin modern me ruajtjen e identitetit historik të zonës.
Rruga hyrëse e fshatit po shtrohet me asfalt, duke rritur ndjeshëm aksesin, sidomos gjatë muajve të dimrit, kur reshjet e dëborës e bëjnë lëvizjen të vështirë. Ndërkohë, në qendër të Dardhës, po rivendoset kalldrëmi tradicional, një element autentik që ruan hijeshinë arkitektonike dhe historike të zonës.
Punimet po realizohen nga Bashkia e Korçës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, dhe përfshijnë 5000 m² asfaltim në rrugën hyrëse të fshatit dhe 1400 m² kalldrëm në qendrën historike të Dardhës.
Ky investim synon të rrisë cilësinë e qarkullimit, të mbështesë zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit dhe të forcojë pozicionin e Dardhës si një nga perlat malore të Shqipërisë, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat kulturore dhe historike që e karakterizojnë.


