Një aksident rrugor është regjistruar këtë pasdite në aksin Bilisht–Korçë, pranë fshatit Cangonj. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur si pasojë e një manovre të gabuar nga një prej drejtuesve të mjeteve në afërsi të një kryqëzimi, çka ka sjellë përplasjen me një automjet tjetër me targa greke që po udhëtonte pas tij.
Në mjetin me targa greke udhëtonte një familje, mes tyre edhe dy fëmijë të mitur. Për fat të mirë, pavarësisht se makina përfundoi poshtë rrugës nacionale si pasojë e përplasjes, të gjithë pasagjerët kanë shpëtuar pa lëndime serioze.
Ky është aksidenti i dytë i regjistruar brenda disa orëve në segmentin rrugor Kapshticë–Pogradec. Në të dy rastet, shkak i ngjarjeve është bërë mosrespektimi i sinjalistikës rrugore nga drejtuesit e automjeteve. Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur ngjarje të tilla.


