Në fshatin Menkulas të Devollit ka nisur puna për ndërtimin e Muzeut të Dritëro Agollit, një projekt i rëndësishëm kulturor që do të kthejë vendlindjen e shkrimtarit të madh në një qendër të kujtesës dhe promovimit të veprës së tij. Si hap i parë, është ndërmarrë lirimi i hapësirës përmes prishjes së godinës ekzistuese, ku do të ngrihet godina e re muzeale.

Ky muze po realizohet me bashkëfinancim nga Bashkia Devoll dhe Këshilli i Qarkut Korçë dhe pritet të shërbejë si një hapësirë muzeale, edukative dhe turistike, ku do të ruhet e prezantohet jeta, krijimtaria dhe mesazhi i një prej figurave më të mëdha të letërsisë shqipe.
Ndërtimi i këtij muzeu është një mënyrë për të vlerësuar jo vetëm kontributin letrar të Dritëro Agollit, por edhe për të forcuar identitetin kulturor të zonës dhe për të afruar më shumë vizitorë në Devoll.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore, duke i dhënë Dritëro Agollit vendin që i takon në kujtesën kombëtare.


