Dy shtetas, babë e bir, janë shpëtuar nga Policia Kufitare në Pogradec, pasi rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e qytetit si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Ngjarja ndodhi pasditen e sotme, kur në sallën operative të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë mbërriti një telefonatë urgjente për ndihmë. Dy shtetasit kishin dalë për peshkim me varkë, por për shkak të motit të keq, nuk arrinin të ktheheshin në breg.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare u angazhuan me mjetin lundrues “Skaf” dhe arritën të lokalizojnë varkën rreth 1.5 milje larg bregut. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionalizmit të strukturave policore, të dy shtetasit u nxorën në breg në gjendje të mirë shëndetësore.
Babai dhe djali kanë falënderuar përzemërsisht efektivët e Policisë Kufitare për reagimin e menjëhershëm dhe ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare vijon të jetë në gatishmëri të plotë për sigurinë e qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe nxit çdo person që ndodhet në vështirësi të telefonojë menjëherë në numrin pa pagesë 112.


