Shërbimet e Policisë Kufitare në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së bagëtive të imëta.
Gjatë një kontrolli në fshatin Barmash, Ersekë, u konstatua një automjet që transportonte 410 krerë bagëti të imëta nga Konispoli, në kundërshtim me urdhrin zyrtar.
Në vijim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht katër veterinerë me detyra zbatimi dhe mbikëqyrjeje të këtij urdhri: A. Sh., D. L., M. N. dhe S. I., banues në Sarandë dhe Korçë. Ata akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë marrë masat e nevojshme për të ndaluar këtë lëvizje të ndaluar me ligj.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


