Gjatë 10 orëve të fundit, autoritetet kanë raportuar 14 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 7 mbeten ende aktive, me situatën më kritike të regjistruar në zonën e Mallakastrës.
Për menaxhimin e kësaj emergjence, strukturat shtetërore kanë angazhuar një numër të konsiderueshëm mjetesh dhe trupash. Sipas njoftimit zyrtar nga Agjencia për Media dhe Informim: “Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë operacionet në terren me 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 helikopter dhe 1 avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore”.
Zonat e prekura nga flakët dhe rreziku për banesat
Ndërhyrjet e forcave operacionale janë përqendruar aktualisht në disa bashki dhe zona të ndryshme, konkretisht në Dajt, Mallakastër, Elbasan, Libohovë, Dropull, Selenicë dhe Skrapar. Agjencia për Media dhe Informim thekson se situata më problematike paraqitet në Mallakastër, ku po punohet intensivisht për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Për sa i përket vatrave të tjera në vend, operacionet e shuarjes vijojnë normalisht dhe deri më tani nuk raportohet asnjë rrezik për banesat e qytetarëve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se në koordinim me të gjitha strukturat përgjegjëse, po vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin, duke pasur si prioritet kryesor mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit.
Foto: A2 CNN


