Mbrëmjen e djeshme, skena e Teatrit “Andon Z. Çajupi” në Korçë u mbush me ritme, energji dhe duartrokitje gjatë koncertit premierë të FanFara Band. Nën drejtimin e artistit të njohur Nexhildo Sula, banda solli një repertor të larmishëm, duke ndërthurur tingujt tradicionale dhe motive moderne që ngjallën entuziazëm tek publiku korçar.
Të pranishmit shijuan një mbrëmje të veçantë, ku muzika dhe pasioni për artin u bënë një, duke e kthyer koncertin në një nga ngjarjet më të spikatura të sezonit kulturor në qytet.
Ky aktivitet vjen si pjesë e nismave për pasurimin e jetës artistike në Korçë dhe për mbështetjen e talenteve vendase, duke sjellë gjithnjë më pranë publikut performanca të nivelit të lartë.


