Maturantët e të dy shkollave profesionale në Korçë kanë përmbyllur ciklin e studimeve, duke festuar jo vetëm mbylljen e një etape të rëndësishme, por edhe fillimin e një rruge të re në tregun e punës.
Statistikat tregojnë se rreth 70% e nxënësve si në Shkollën Profesionale Teknike edhe në Shkollën Profesionale Shërbime, janë tashmë të punësuar ose të vetëpunësuar, çka dëshmon se arsimi profesional po kthehet në një rrugë të sigurt drejt punësimit dhe pavarësisë ekonomike.
Ky rezultat lidhet ngushtësisht me programet praktike dhe me bashkëpunimin e ngushtë që shkollat profesionale kanë krijuar me bizneset lokale dhe rajonale, duke i mundësuar nxënësve jo vetëm të fitojnë aftësi konkrete, por edhe të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me punëdhënësit.
Vetë të rinjtë e diplomuar shprehen se formimi profesional u ka dhënë besim dhe siguri për të nisur karrierën në fusha të ndryshme, duke shfrytëzuar njohuritë dhe shkathtësitë që kanë fituar gjatë viteve të studimeve.
Arsimi profesional po dëshmohet gjithnjë e më shumë si një alternativë reale dhe efikase, që u ofron të rinjve mundësi të prekshme punësimi dhe një të ardhme më të qëndrueshme.


