Drejtoria Vendore e Policisë Korçë (DVKM) ka referuar një sërë materialesh në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, lidhur me disa ngjarje të ndodhura në qark.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë kanë nisur procedim penal për shtetasen L. R., 39 vjeçe, banuese në Librazhd. Gjatë kontrolleve në dalje të Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, asaj iu konstatuan në pasaportë dy vula të dyshuara të falsifikuara të shtetit italian.
Po ashtu, është proceduar penalisht shtetasi V. N., 50 vjeç, banues në Pukë, i dyshuar për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë referuar në Prokurori një kallëzim të shtetases O. D., 32 vjeçe, e cila pretendon se fqinja e saj, shtetasja T. M., 65 vjeçe, ka instaluar dy kamera në ambientet e jashtme të banesës së saj, duke i cenuar privatësinë.
Më datë 29.06.2025, në një banesë në Korçë është gjetur pa shenja jete shtetasja K. Xh., 67 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrore. Vijojnë hetimet për sqarimin e rrethanave.
Po në Komisariatin e Policisë Korçë, ka kallëzuar shtetasi S. R., 96 vjeç, i cili ka deklaruar se i janë vjedhur disa bagëti të imta. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.


