Sheshi “Odeon” në Pogradec u mbush me tinguj muzike dhe emocion gjatë një mbrëmjeje të veçantë artistike, organizuar nga Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”. Koncerti veror solli në zemër të qytetit një atmosferë festive, ku publiku vendas dhe vizitorët shijuan një repertor të pasur me muzikë të lehtë shqiptare dhe ndërkombëtare.
Artistët Luiza Mara, Julian Tollozhina dhe Renato Zeqollari interpretuan këngë të njohura nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa Alba Dajlani elektrizoi skenën me interpretimin e këngëve të huaja.
Spektaklin e pasuroi edhe grupi i kërcimit i Qendrës Kulturore, me koreografi të përgatitura nga Zhulieta Kalkollari dhe Fatos Elmasllari, duke sjellë në skenë energji dhe harmoni që u pritën me duartrokitje të zjarrta nga të pranishmit.
Sipas Eritan Kamollit, Drejtor i Qendrës Multifunksionale Pogradec, kalendari i aktiviteteve për sezonin veror do të jetë i ngjeshur, me synimin për ta shndërruar qytetin në një qendër kulturore dhe turistike.
Ky koncert është vetëm fillimi i një vere të mbushur me art dhe ngjarje kulturore që pritet të gjallërojnë jetën artistike të qytetit dhe të tërheqin vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.


