Një incident i rëndë është regjistruar në Theth, ku persona të paidentifikuar kanë sulmuar me mjete piroteknike fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) si dhe urën në lagjen “Gjelaj”. Sipas burimeve zyrtare, autorët kanë përdorur koktej molotovi me qëllim bllokimin e aksionit të prishjeve dhe ndërhyrjeve në zonë.
Pavarësisht sulmit, fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Policia dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve dhe aktualisht në terren ndodhen dy grupe të FNSH, që po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Ngjarja ka krijuar tension në zonë dhe ka ngjallur shqetësim në komunitet, ndërkohë që autoritetet kanë garantuar se operacionet e planifikuara nuk do të ndalen dhe do të vijojnë sipas axhendës.


