Në qytetin e Maliqit kanë përfunduar punimet për vendosjen e sinjalistikës horizontale në rrugët kryesore dhe ato dytësore. Ky investim synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Punimet përfshinë vijëzimin e rrugëve, korsitë e lëvizjes, vijat e bardha për këmbësorët si dhe sinjalizimin pranë institucioneve arsimore dhe zonave me trafik të lartë.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se ky është vetëm një hap i parë në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe se priten ndërhyrje të tjera në javët në vijim.
Qytetarët kanë përshëndetur nismën, duke theksuar se sinjalistika e re sjell më shumë rregull dhe siguri në qarkullim.



