Me një atmosferë madhështore dhe organizim të shkëlqyer, u çel sot zyrtarisht edicioni i Lojërave Botërore Universitare Rhine Ruhr 2025, një nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare për sportin universitar. Mijëra studentë-sportistë nga mbi 150 vende të botës u bashkuan në këtë ceremoni hapëse për të festuar jo vetëm garën, por edhe miqësinë dhe vlerat ndërkombëtare të sportit.
Federata Shqiptare e Sportit Universitar ishte pjesë e këtij momenti festiv, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Në paradën e shteteve, flamuri shqiptar u mbajt me krenari nga Elisa Myrtollari dhe Julian Vila, të dy sportistë të disiplinës së atletikës dhe studentë të Universitetit “Fan S. Noli” në Korçë, të cilët përçuan imazhin e një Shqipërie të angazhuar dhe të përkushtuar në fushën e sportit universitar.
Në këtë edicion, Shqipëria garon në dy disiplina: atletikë dhe taekwondo, ku sportistët shqiptarë synojnë paraqitje sa më dinjitoze dhe rezultate pozitive, duke përfaqësuar vendin me profesionalizëm dhe shpirt gare.
Ceremonia hapëse përcolli një mesazh të fortë për bashkëpunim, respekt dhe paqe mes popujve, ndërsa sportistët pjesëmarrës patën mundësinë të ndjejnë emocionin unik të përfaqësimit në një ngjarje të këtij niveli.



