Prefektura e Qarkut Korçë ka raportuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në territor. Në operacionet e shuarjes dhe monitorimit janë angazhuar gjithsej rreth 171 forca nga struktura të ndryshme, përfshirë shërbimet zjarrfikëse, punonjës të njësive administrative, personel të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, trupa të Repartit Ushtarak 1033 Drenovë dhe efektivë të policisë.
Në mbështetje të ndërhyrjeve janë vendosur në funksion shtatë mjete zjarrfikëse dhe të tjera ndihmëse, si edhe pesë mushka të ngarkuara me ujë dhe pajisje për ndërhyrje në zona të paarritshme me automjete. Operacionet në terren po monitorohen dhe drejtohen edhe me mbështetje ajrore, përmes përdorimit të dronëve.
Aktualisht, situata paraqitet si më poshtë:
– Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë:
Zjarri vazhdon të jetë aktiv në disa vatra të izoluara midis fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e ndërhyrjes po kryhen nga pozicione të përshtatshme, ndërsa zona e Çardhakut po vëzhgohet me kujdes për të shmangur çdo rrezik përhapjeje. Vatrat janë nën kontroll, ndërsa monitorimi vazhdon.
– Parku Kombëtar i Prespës, Bashkia Pustec:
Zjarri është i përqendruar në zona me terren të thepisur dhe të vështirë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Janë konstatuar dy vatra të vogla nën shkëmbinj, ku po veprohet nga grupe të pajisura me mjete të posaçme për terren të tillë. Mbikëqyrja ajrore me dronë është e pandërprerë dhe po shërben për orientimin dhe koordinimin e ndërhyrjeve.
– Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq:
Zjarri është neutralizuar plotësisht. Aktualisht në zonë janë të pranishme rreth 60 forca për të garantuar kontrollin e plotë të perimetrit dhe për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
Strukturat vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën për të përballuar situatat në zhvillim dhe për të mbrojtur sipërfaqet pyjore dhe komunitetet përreth.


