Situata e zjarreve në territorin e Qarkut Korçë paraqitet aktualisht e stabilizuar, pasi të gjitha vatrat aktive janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që forcat në terren vijojnë me monitorimin për të parandaluar çdo riaktivizim.
Në fshatin Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq, zjarri është shuar plotësisht. Rreth 60 forca nga strukturat vendore të emergjencave dhe zjarrfikësve janë të pranishme në terren për të garantuar sigurinë e zonës dhe për të ndjekur nga afër çdo zhvillim të mëtejshëm.
Në zonën midis fshatit Dishnicë dhe fshatit Barç, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë, zjarri është vënë nën kontroll dhe vatrat janë shuar. 58 forca të specializuara vijojnë monitorimin për të parandaluar çdo riaktivizim, deri në neutralizimin e plotë të terrenit.
Ndërkohë, edhe zjarri mbi fshatin Lajthizë, në Bashkinë Pustec, brenda territorit të Parkut Kombëtar të Prespës, është vënë nën kontroll. 64 forca janë të angazhuara në punën për shuarjen dhe izolimin e plotë të vatrave. Aktualisht, mbetet një vatër problematike në një zonë të vështirë malore, me bimësi të dendur, ku po përqendrohen forcat për neutralizim të plotë.
Autoritetet lokale dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë, duke ndjekur nga afër zhvillimet në çdo zonë të prekur nga zjarret.


