Nga ekranet e televizionit lokal në Korçë, tek pavionet e kujdesit shëndetësor në një nga spitalet më prestigjioze të SHBA-së – rrugëtimi i Alda Malavecit është një histori për t’u treguar.
E lindur dhe rritur në qytetin e vogël të Maliqit, Alda ishte një emër i njohur për publikun korçar si gazetare pranë TV Korça dhe folëse në ABC Radio. Me një pasion të hershëm për komunikimin dhe shërbimin ndaj njerëzve, ajo gjeti gjithmonë mënyra për të qenë pranë komunitetit të saj. Por jeta kishte plane të tjera për të.
Pasi emigroi në Shtetet e Bashkuara për arsye familjare dhe krijoi familjen e saj atje, Alda vendosi t’i jepte një tjetër drejtim karrierës së saj. Zgjodhi të ndjekë një thirrje që gjithmonë e kishte ndjerë thellë: infermierinë. Si studente ndërkombëtare nga Shqipëria, ajo iu bashkua MATC (Milwaukee Area Technical College), ku u përball me sfida të shumta – nga gjuha, te ambienti i ri, por nuk u dorëzua.
“Është kaq e rëndësishme të jesh i lumtur me atë që bën. Dhe jam e lumtur dhe krenare që jam diplomuar në MATC”, shprehet ajo me emocion. Falë përkushtimit dhe mbështetjes nga këshilltarët dhe kolegët, Alda jo vetëm që u diplomua me sukses në programin e infermierisë, por u nderua edhe me çmimin prestigjioz Maxine Mann Leadership Award, një vlerësim për lidershipin dhe shembullin që dha gjatë studimeve.
Sot, ajo punon në njësinë e kujdesit progresiv në Columbia St. Mary’s, duke u kujdesur për pacientët me po aq përkushtim sa dikur u kujdesej për të vërtetën në profesionin e gazetarisë.
Rruga e saj deri këtu nuk ishte e lehtë, por ishte e ndërtuar mbi guxim, vendosmëri dhe besim në vetvete. Alda Malaveci është shembulli i gjallë se ëndrrat realizohen – kur punon fort, kur nuk dorëzohesh dhe kur nuk harron kurrë nga vjen.


