Skënderbeu dhe Vora nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në miqësoren e zhvilluar këtë pasdite në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.
Ndeshja nisi me qetësi, me të dyja skuadrat që qarkullonin topin kryesisht në mesfushë. Rasti i parë u regjistrua në minutën e 5-të, kur Karica për miqtë nga Vora gjuajti, por pa rrezikuar portën e vendasve.
Skënderbeu reagoi në minutën e 21-të me Vaskuezin, i cili pas një goditjeje këndi nuk arriti ta drejtonte topin në kuadrat. Vetëm tre minuta më pas, Nasr krijoi rrezik nga e majta, por mbrojtja mike u tregua e kujdesshme duke larguar topin në këndore.
Korçarët patën edhe disa tentativa të tjera deri në fund të pjesës së parë, përfshirë dhe një aksion të kombinuar mes Nasr, Estrela dhe Tayo, por pa sukses. 45 minutat e para u mbyllën 0-0.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm të ulët, me pak raste të rrezikshme dhe me lojë të balancuar në mesfushë. Rasti më i pastër i takimit erdhi në minutën e 62-të, kur Bajramaj i Vorës depërtoi në mbrojtjen vendase dhe gjuajti fort, por topi kaloi shumë pranë shtyllës. Në vijim, edhe Shehi provoi dy herë për miqtë, por mbrojtja bardhekuqe reagoi saktë.
Ndërrimet e bëra nga të dy trajnerët nuk ndryshuan rrjedhën e lojës, e cila u mbyll pa gola.
Përfundimisht, një test miqësor me ritëm mesatar për të dy ekipet, ku mungoi goli por nuk munguan provat taktike dhe aktivizimi i lojtarëve në prag të sezonit të ri.


