Shkolla nëntëvjeçare “5 Dëshmorët” në fshatin Polenë të Korçës nuk do të hapë dyert këtë vit shkollor, pasi në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë fëmijë të regjistruar. Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Korçë – Pustec ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e shkollës, ndërsa Këshilli Bashkiak i Korçës ka nisur një konsultim publik me banorët e fshatit, që më pas do të dërgohet për miratim në Ministrinë e Arsimit.
Banorët thonë se fshati nuk ka më fëmijë në moshë shkollore, ndërsa ata që janë i dërgojnë në institucione arsimore jashtë Polenës. Ndërkohë, godina e shkollës dhe zona përreth prej disa muajsh po i nënshtrohen rikonstruksionit për t’u kthyer në një inkubator biznesi, pjesë e projektit të Bashkisë Korçë për zhvillimin e “rrugëve të shijes”. Investimi po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe pritet të përfundojë pas disa muajsh.


