Close Menu
KolibriKolibri
    Më të klikuarat

    Kategoria e Dytë/ Maliqi në transfertë me Shkumbinin, Devolli pret Partizanin “B”

    October 18, 2025

    Lamtumirë Joana Qyli/ Vajza korçare që arriti në Parlamentin Europian, ndahet nga jeta në moshë 28-vjeçare

    October 18, 2025

    Bashkia Maliq nis zbatimin e projektit për rehabilitimin e banesave të familjeve në nevojë

    October 18, 2025
    Facebook X (Twitter) Instagram
    KolibriKolibri
    • Kreu
    • Aktualitet
      • Politikë
      • Kronikë
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Bota
      • Kulturë
    • Korça +
      • Korçë
      • Pogradec
      • Devoll
      • Kolonjë
      • Maliq
      • Pustec
    • Opinion
    • Personazh
    • Showbiz
    • Sport
    KolibriKolibri

    Kur ndërtohej Prefektura e Korçës… – Nga Vepror Hasani

    Histori September 10, 2025
    Shpërndaje
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

    Godina e Prefekturës u ndërtua në qytetin e vjetër të Korçës. Themelet e ndërtesës u hodhën në vitin 1936, pikërisht në atë vend ku kishin qenë edhe më parë ndërtesat më të hershme qeveritare të kohës. Korça u bë nënprefekturë në vitin 1827 dhe prefekturë në vitin 1870. Me ndarjen e re administrative të vitit 1888 sanxhaku i Korçës përbëhej nga kazaja e Korçës, e Starovës, e Kolonjës, e Kosturit, e Bilishtit, e Hurupishtit dhe e Oparit.

    Pra, në Kasaba kishin qenë të ndërtuara godinat e administratës së themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori. Qeveria shqiptare e vitit 1936, pati si qëllim ruajtjen e identitetit të qytetit, me qëllim që Korça të tregonte vijueshmërinë e vet që nga dita e themelimit të saj më 1486.

    Desktop Promo
    Desktop Promo

    Ndërtimi i Prefekturës në vitin 1936 nuk ishte dhe aq i lehtë. Kishte nga ata që përpiqeshin të pengonin ndërtimin e saj në lagjet e Kasabasë. Ideja për ngritjen e një godine qeveritare madhështore, të bukur dhe elegante, në lagjet e Kasabasë u hodh pas largimit të francezëve, kur Korça iu bashkua qeverisë së Tiranës, (26 maj 1920), por duket se në atë kohë ndërtimi i saj nuk ishte i mundur.

    Për ngritjen e godinës së prefekturës pati përpjekje të herëpashershme: Ja çfarë thuhet në një rast të tillë: “Këshilla administrative vendosi që të ngrihet një ndërtesë e madhe ku të përmblidhen të gjitha zyrat qeveritare. Por, me qenë se për ndërtimin e kësaj, arka publike jep vetëm 93.000 franga ar, dhe se për të mbushur shumën duhet të formojë një komision për të mbledhur të holla nëpër popull. Ndërtesa do të ngrihet përsëri në atë vend ku ishte hyqymeti i vjetër në kohën e Turqisë.” (Posta e Korçës, 6 shtator 1921).

    Por lajmi nuk e pati jetën të gjatë, shumë shpejt u mbulua nga një heshtje e thellë e nuk u dëgjua të flitej më për katër vjet me radhë, deri sa mbërriti një lajm i ri: “Prej burimeve të sigurta lajmërohemi se për së shpejti qeveria do të ndërtojë një godinë qeveritare në qytetin tonë, në vendin ku ka qenë më parë. Për këtë qëllim do të formohet një komision nën kryesinë e Prefektit. Për së shpejti do të thirren pleqësitë e katundeve të prefekturës për të gatitur listën e ndihmave dhe materialet që mund t’i dhurohen qeverisë.” (“Zëri i Korçës”, e martë 4 gusht 1925).

    Edhe ky lajm pati të njëjtin fat. U harrua për 11 vjet, derisa në vitin 1936 situatën e mori në dorë prefekti Kryeziu: “Me iniciativën e prefektit z. Ismet Kryeziu, madje u bë një mbledhje e gjerë për çështjen e ngritjes së godinës qeveritare në këtë qytet. Pas shpjegimeve që dha zoti Prefekt mbi dobinë e madhe të kësaj vepre, për të cilën ka siguruar edhe një shumë të hollash nga shteti, mbledhja pranoi me duartrokitje proponimin e zotit prefekt dhe u formua një komision për të mbledhur ndihma. Në fushatën e ndihmave do të marrë pjesë i tërë qarku. Iniciativa e zotit Prefekt meriton tërë lavdërimet se ndërtimi i një godine qeveritare ku të përmblidhen të gjitha zyrat është një lehtësi e madhe për popullin dhe më anën tjetër edhe qyteti do të zbukurohet me një godinë madhështore. Prandaj jemi të sigurtë se populli nuk do të kursejë ndihmat, por me kënaqësi do të përgjigjet për ngritjen e godinës qeveritare”. (“Gazeta e Korçës”, 9 janar 1936).

    Prefekti Ismet Kryeziu thirri në një mbledhje tjetër edhe kryetarët e zyrave. Ngritja e godinës nuk duhej vonuar më. Gjithkush duhej të jepte ndihmesën e vet. Entuziazmi ishte i madh. Shtypi nisi të përcillte gjithçka që flitej dhe thuhej për ngritjen e ndërtesës qeveritare: “Në prefekturë u mbajt dje një mbledhje prej komisionit për ngritjen e godinës qeveritare duke marrë pjesë gjithë kryetarët e zyrave. Në këtë mbledhje u propozua që ndihmat përkatëse për ngritjen e godinës qeveritare të marrin pjesë edhe nëpunësit. Ky propozim i arsyeshëm u prit me kënaqësi prej gjithë kryetarëve të zyrave, të cilët u autorizuan të paraqitin listat e ndihmave që do të ofrojnë me dëshirë të gjithë nëpunësit inferiorë. Duke marrë parasysh numrin e madh të nëpunësve të kësaj prefekture, ndihma e përbashkët e tyre do të kapë një shumë të konsiderueshme të hollash, gjë e cila do të lehtësonjë mjaft ngritjen e godinës në fjalë dhe për këtë gjest nëpunësit meritojnë lavdërime të mëdha…” (“Gazeta e Korçës”, e premte 24 janar 1936).

    Ashtu siç ishte thënë që në krye të herës, godina do të ndërtohej në lagjet e Kasabasë.

    Caktimi i vendit iu la në dorë qeverisë me qëllim që atyre që dëshironin përçarjen të mos u lihej mundësia e manipulimit. Edhe qeveria u tregua mjaft e shpejtë në kthimin e përgjigjes së saj. Përgjigjja e qeverisë mbërriti tre ditë më pas. Nuk analizonte asgjë nga ato që kërkonin nënshkruesit e letrës. Duket se Ministria e Brendshme kishte gjithë informacionin e nevojshëm. Në shkresën e saj qeveria shprehte miratimin e saj që godina qeveritare të ndërtohej aty ku ishte caktuar dhe vlerësonte pozitivisht punën e bërë nga prefekti Ismet Kryeziu. Për të mos lënë asnjë shpresë tjetër se mund të ndryshohej vendi i caktuar i godinës, qeveria bënte të ditur se tashmë do të caktonte edhe arkitektin.

    “Gazeta e Korçës” botoi përgjigjen e kthyer nga qeveria: “Ministria e Punëve të Brendshme i dërgoi Prefekturës këtë shkresë: “Kjo Ministri aktivitetin e titullarit t’asaj Prefekture e çmon dhe ka besim se me kujdesin e tij godina qeveritare në Korçë do të fillohet të kryhet. Që të mos shpenzohemi me sjelljen e një arkitekti nga jashtë, po i shkruajmë Ministrisë së Punëve Botore që të urdhërojë një inxhinier arkitekt që të vijë në Korçë dhe të përgatitë planin e projektit me preventiv të pallatit qeveritar për t’u ngrehur. Mbi çdo hap përparimi që do të bëni në mbledhje ndihmash në të holla dhe në materiale, lutemi të na vini në korrent”. (“Gazeta e Korçës”, 28 janar 1936).

    Ndihmat që po jepeshin për ngritjen e Godinës qeveritare ishin të shumta. Ra në sy gjithashtu se tregtarët e “Kasbasë” po jepnin shuma të mëdha në franga ari.

    Ndërkohë prefektit Ismet Kryeziu nisën t’i vinin letra edhe nga Amerika. Të paktën kështu shkruanin gazetat: “Prefektit, z. Ismet Kryeziu filluan t’i vinë nga Amerika letra nga shqiptarët e atjeshëm duke falenderuar për iniciativën e bukur që mori për ngritjen e godinës qeveritare dhe më anë tjetër e lajmërojnë se do të hapet atje një fushatë ndihmash.” (Gazeta e Korçës, 22 shkurt 1936).

    Ndihma të shumta erdhën edhe nga fshtrat e gjithë krahinës: Melçani dhuroi 140 franga ari, Biranj 180, Vinçani 431, Dvoran 358, Voskop 925, Pendavinj 233, Nizhavec 164, Kreshpanj 79, Plasë 387, Zëmblak 854, Podgorie 424, Pojan 1234, Zvezdë 700, dhuruan edhe 15.000 ok gërqele, Pirg 161, Libonik 147, Çaushli 160, Kolanec 189, Sovjan 124, Zvirinë 48. Bickë 57, Senishtë 43, Plovisht 35.50, Leminot 38, Symizë 26, Gocë 17.80 franga ari, etj.

    Shtypi e përshkruante kështu këtë situatë: “Komisioni i posaçëm për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e godinës qeveritare po vazhdon punën me aktivitet. Përditë janë duke u mbledhur ndihma të reja në të holla, kështu që tani projekti i ngritjes së godinës qeveritare po i afrohet realizimit. Nga ana tjetër po mblidhen ndihma të tjera materiale në lëndë të ndryshme që kanë premtuar të japin katundet e ndryshme të qarkut. Katundi Mborje, i cili ka premtuar 1500 rraba gurë, ka sjellë gjer tani 500 rraba. Për së shpejti do të fillojnë dhe katundet e tjera të sjellin ndihmat e tyre materiale si gërqele, qereste druri etj”. (“Gazeta e Korçës”, e martë 10 mars 1936).

    Më në fund mbërriti edhe dita kur në themelet e godinës qeveritare do të vendosej guri i parë. Gazeta e Korçës, si gjithnjë, e bëri të njohur edhe këtë lajm: “Të hënën më 10 gusht 1936, në orën 9 paradreke bëhet ceremonia për hedhjen e gurit të parë dhe fillesa nga puna në ndërtesën e re qeveritare pranë lulishtes “Senije Zogu”. Në këtë orë janë të lutur të gjithë autoritetet e popullit të marrin pjesë në këtë inaugurim që do të ketë shkëlqim të posaçëm”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 8 gusht 1936).

    Ndërtesa qeveritare do të ishte me 2 kate dhe 85 dhoma dhe me një pjesë qilaresh. Ishte përsëri “Gazeta e Korçës” që solli të përshkruar edhe ceremoninë e nisjes nga ndërtimi të godinës: “Me ceremoni të posaçme u bë sot në mëngjes hedhja e gurit të parë të themeleve të godinës qeveritare, që do të ngrihet në këtë qytet dhe që do të përmbledhë të gjitha zyrat qeveritare. Nga kryeqyteti kishte ardhur apostofat shkëlqesia e tij, ministri i Punëve të Brendshme, z. Et’hem Toto me zonjën dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Ing. Qemal Butka, i cili ka përgatitur dhe planin e ndërtesës madhështore. Prefekti Mark Kodheli mbajti një fjalim të rastit mbi rëndësinë e ngritjes së ndërtesës qeveritare dhe duke falenderuar, kujtoi të gjashtë dëshmorët, të cilët në vitin 1911 lanë jetën e tyre në atë vend ku sot po ngrihet godina. Përmendi edhe ish-prefektin z. Ismet Kryeziu, i cili mori iniciativën e ngritjes së godinës. Fjalimi i z. prefekt u mbulua me brohoritje për L.M.T. Mbretin Zog…” (“Gazeta e Korçës”, e martë, 11 gusht 1936).

    “Pastaj e mori fjalën shkëlqesi e tij, ministri z. Toto, shkruan “Gazeta e Korçës”, i cili çfaqi kënaqësinë e tij të madhe për hedhjen e gurit të parë të themelive të kësaj ndërtese madhështore në qytetin më të bukur të Shqipërisë.

    Për këtë vend,- shtoi z. ministër, – u bënë shumë fjalë, porse ato kanë patur qëllime personale. Korça, e cila ka dhënë gjithnjë shembull atdhetarie dhe që në vija të përgjithshme përparimi e zhvillimi qëndron më lart nga çdo qytet tjetër i Shqipërisë, nuk duhet të ketë parasysh interesat individuale, porse të mejtojnë gjithnjë për të mirën e kolektvitetit. Është koha që të gjithë shqiptarët të mejtojnë shqiptarisht”. (Të mendojnë shqiptarisht, theksoi ministri).

    “Dhe pasi foli edhe mbi rëndësinë e ndërtesës, shkëlqesia e tij e mbylli fjalimin duke brohoritur për L.M.T. Mbretin dhe për popullin e Korçës. Pastaj z. Toto vuri gurin e parë të themelive dhe ceremonia mori fund, duke u drejtuar të gjithë në qoshkun e kopështit “Senije Zogu”, ku ishte përgatitur bufeja e pasur me birra e meze të zgjedhura. Në kohën e ceremonisë asistuan në vend konsujt e huaj, autoritetet civile e ushtarake dhe gjithë nëpunësit e ndryshëm dhe një shumicë populli. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 11 gusht 1936).

    Desktop Promo
    Mobile Promo
    slide
    Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
    Desktop Promo
    Mobile Promo

    Postime të ngjashme

    Kategoria e Dytë/ Maliqi në transfertë me Shkumbinin, Devolli pret Partizanin “B”

    October 18, 2025

    Bashkia Maliq nis zbatimin e projektit për rehabilitimin e banesave të familjeve në nevojë

    October 18, 2025

    Shqipëria, 67 vjet anëtare e UNESCO-s

    October 17, 2025
    Leave A Reply Cancel Reply

    Max Winery
    Eco Concept
    Mjalti Morava
    Minutë pas minute

    Kategoria e Dytë/ Maliqi në transfertë me Shkumbinin, Devolli pret Partizanin “B”

    October 18, 2025

    Lamtumirë Joana Qyli/ Vajza korçare që arriti në Parlamentin Europian, ndahet nga jeta në moshë 28-vjeçare

    October 18, 2025

    Bashkia Maliq nis zbatimin e projektit për rehabilitimin e banesave të familjeve në nevojë

    October 18, 2025

    Shqipëria, 67 vjet anëtare e UNESCO-s

    October 17, 2025

    Fluks i lartë hyrjesh në pikën e kalimit të Qafë Thanës – qytetarët shqiptarë të Maqedonisë drejt protestës në Tiranë

    October 17, 2025

    Përplasen dy automjete në kryqëzimin problematik të Libonikut, fatmirësisht pa të lënduar

    October 17, 2025
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Pinterest
    • Instagram
    • YouTube
    • Vimeo
    Kolibri

    Kolibri.al është një platformë dixhitale informimi dhe promovimi të njerëzve dhe territorit në rajonin e Korcës. Në kontakt të përditshëm me terrenin dhe lajmin, synojmë te sjellim të vërtetën me profesionalizëm dhe etikë.

    Facebook X (Twitter) Pinterest YouTube WhatsApp
    Kryesore

    Fluks i lartë hyrjesh në pikën e kalimit të Qafë Thanës – qytetarët shqiptarë të Maqedonisë drejt protestës në Tiranë

    October 17, 2025

    Devoll – Arrestohen bashkëshortët për trafikun e 5.8 kg kanabis

    October 16, 2025

    Në Ditën e Shkopit të Bardhë, apel për akses dhe barazi për personat e verbër

    October 15, 2025
    Më të klikuarat

    Lëvizje në Policinë e Korçës – Ndryshime në drejtimin e Komisariateve të Devollit dhe Peqinit

    October 16, 2025

    Ngjarjet e fundit në qarkun e Korçës: ndalime, aksidente dhe procedime penale për disa raste

    October 13, 2025

    Ndalimi i monopatinave elektrike, sekuestrime në Korçë dhe Pogradec

    October 13, 2025
    © 2025 kolibri.al. Crafted by BeeTech Solutions
    • Kontakt
    • Politikat e privatësisë

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.