Java Evropiane e Sportit ka sjellë gjallëri dhe energji pozitive në Gjimnazin “Gjergj Pekmezi” të Pogradecit, ku gjatë gjithë javës janë organizuar aktivitete të ndryshme sportive me pjesëmarrjen e nxënësve.
Më 22 shtator 2025, në shëtitoren e qytetit u zhvillua gara e vrapimit në distancën 1000 metra, ku morën pjesë dhjetëra nxënës. Në këtë aktivitet u theksua rëndësia e lëvizjes dhe kujdesit për shëndetin. Spikati klasa e 10-E, me nxënësit Marjo Maxhari dhe Sabian Yzellari, të cilët u dalluan për vullnetin dhe përkushtimin e treguar.
Aktivitetet vijuan më 23 shtator me ndeshje miqësore në volejboll dhe basketboll, ku nxënësit dëshmuan jo vetëm aftësi sportive, por edhe frymë bashkëpunimi dhe respekti reciprok.
Drejtuesit e shkollës vlerësuan angazhimin e nxënësve, duke theksuar se këto iniciativa shërbejnë për të nxitur shëndetin, sportin dhe punën në ekip tek të rinjtë.


