Nga Niko Peleshi
Evolucioni i vrullshëm i Inteligjencës Artificiale shpesh perceptohet si një revolucion thjesht teknik. Por nën kodet dhe algoritmet fshihet një betejë më e thellë idesh — një riinskenim modern i debatit themelor mes racionalizmit dhe empirizmit, që ka formësuar mendimin perëndimor prej mijëvjeçarësh.
Dy mendje shqiptare po shfaqen sot si bartës të këtyre paradigmave të kundërta. Pas punës inovatore të Mira Muratit me modelet e mëdha gjuhësore LLL (Large Language Models) te OpenAI, Donald Leka po ngjit skenën globale me një qasje rrënjësisht tjetër, që ai e quan Inteligjencë Parashikuese (Anticipatory Intelligence).
Biseda me Donaldin më çoi përtej përkëdheljes së krenarisë kombëtare, në një dimension më të thellë të të kuptuarit, të cilin po e ndaj këtu.
Rrënjët e lashta filozofike të dijes-racionalizmi dhe empirizmi
Krijimi i një inteligjence joorganike që ne e quajmë artificiale, duke imituar mënyrën e funksionimit të trurit, duket se po kalon nëpër të njëjtat pikëpyetje filozofike që shoqëruan njeriun drejt zbulimit të vetvetes.
Qasjet e Mira Muratit (dhe të shumë teknologëve të tjerë të Inteligjencës Artificiale) dhe Donald Lekës janë dy qasje të ndryshme — ashtu siç kanë qenë dikur ato të Platonit dhe Aristotelit, të Dekartit dhe Lokut.
Platoni (Dialogu Meno, c. 385 p.e.s) besonte se dija është e lindur dhe e mbartur me shpirtin në trajtën e disa formave perfekte. Sipas tij, kontakti shqisor me realitetin, eshte nje proces joperfekt me anë të të cilit njeriu vetëm “kujton” këto forma perfekte që gjenden brenda shpirtit si arsye apo inteligjencë e lindur.
Ndërsa Aristoteli (Metaphysics, c. 350 p.e.s.) mendonte se dija ndërtohet përmes perceptimit shqisor të objekteve. Realiteti, sipas tij, qëndron tek objektet dhe dija e vërtetë është të kuptuarit e tyre.
Pra, Platoni ishte racionalist; Aristoteli, empirist.
Nga Dekarti te Loku: arsyeja kundër përvojës, racionalizmi kundër empirizmit
Dy mijë vjet më vonë, René Dekart (1637) tha shprehjen e famshme “Cogito, ergo sum” — “Mendoj, pra jam”.
Dekarti zhvilloi më tej idenë e dijes si formë e arsyes së lindur, pjesë e strukturës së trurit dhe jo e të mësuarit përmes shqisave.
Përballë tij qëndronte Xhon Lok (1690), filozofi anglez që besonte se dija buron nga përvoja dhe observimi empirik. Ai e quajti mendjen e njeriut një tabula rasa — një letër e bardhë mbi të cilën shkruajmë dhe formësojmë idetë pas perceptimeve shqisore.
Nga filozofia tek inteligjenca artificiale – racionalizmi modern i sistemeve LLM
Dhe ja ku kemi mbërritur në epokën e Inteligjencës Artificiale.
Duke ndërtuar struktura logjike që imitojnë funksionet e trurit biologjik, njeriu ka krijuar makina që “mësojnë”.
Këto makina, pasi trajnohen me korpuse të mëdha të dhënash, përfundojnë në parametra (pesha) që tregojnë forcën e lidhjeve ndërmjet neuroneve artificiale — analoge me sinapset e trurit biologjik.
Edhe në inteligjencën artificiale, një sistem mund të furnizohet nga brenda (me dije parametrike të mësuara më parë) dhe nga jashtë (me të dhëna dinamike, në kohë reale, analoge me shqisat tona).
Të gjitha modelet që njohim sot — ChatGPT, Claude, Grok, DeepSeek, Qwen — i përkasin kategorisë Large Language Models (LLM).
Këto janë sisteme të bazuara në furnizimin nga brenda: një racionalizëm modern, i ngjashëm me atë të Platonit dhe Dekartit.
Donald Leka dhe Inteligjenca Parashikuese si shprehje empirizmit modern
Donald Leka po ndërton një platformë të një lloji tjetër, që ai e quan Inteligjenca Parashikuese (Anticipatory Intelligence).
Kjo formë inteligjence bazohet në observimin në kohë reale, në të dhëna dinamike dhe në përshtatje të vazhdueshme — një empirizëm modern, në frymën e Aristotelit dhe Lokut.
Sipas Lekës, vetëm me LLM-të nuk mund të arrihet AGI (Artificial General Intelligence). Halucinacionet e këtyre modeleve i bëjnë ato të pasigurta për t’u përdorur si agjentë plotësisht autonomë.
Edhe me integrimin e teknikave si Retrieval-Augmented Generation (RAG), që freskojnë informacionin me të dhëna nga kërkimi online, apo Reinforcement Learning (RL), LLM-të mbeten modele probabilistike që mund të gjenerojnë pohime të pasakta, pasi parametrat e tyre janë të ngrirë dhe nuk vetëkorrigjohen në kohë reale. Kjo është arsyeja pse kur ti i mëson një fakt ChatGPT-se, e “mban mend” vetëm brenda një chat-i dhe e “harron” kur ti hap një chat të ri. Leka beson se nevojitet një shtresë inteligjence e bazuar në sensorë dhe të dhëna në kohë reale — me cikle perceptim–arsyetim–veprim që vetëkorrigjohen dinamikisht.
Nga Kant te Inteligjenca e së nesërmes: Sinteza e duhur
Kur u ndamë, me shaka i thashë se me sa duket revolucioni i ardhshëm i Inteligjencës Artificiale do të vijë nga “martesa” midis Donald Lekës dhe Mira Muratit.
Mbase duhet të kthehemi te “revolucioni kopernikan” i Immanuel Kantit me kryeveprën e epistemologjisë së njohjes, Kritika e Arsyes së Kulluar (Critique of Pure Reason 1781/1787): subjekti nuk e pasqyron thjesht botën, por e strukturon përvojën përmes formave (hapësirë, kohë) dhe kategorive të mendjes. Kanti njihet si konstruktori i qasjes se kombinuar te dijes nga sintetizimi i intuitës a-posteriori me konceptet a-priori.
“Mendimet pa përmbajtje janë të zbrazëta; intuitat pa koncepte janë të verbra”, shkroi ai.
Në terma inxhinierikë, vetëdija artificiale — nëse një ditë do të lindë — ka gjasë të shfaqet nga bashkimi i dy botëve:
kujtesa e ngrirë e njohurive parametrike (LLM-të) dhe ndjeshmëria dinamike e inteligjencës parashikuese, që reagon dhe korrigjon veten në kohë reale.
Tek e para po vrapon Mira; tek e dyta Donaldi.
Mbase takohen një ditë./ monitor.al


