Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë vijon të jetë një ndër destinacionet më të vizituara kulturore në vend, duke tërhequr gjatë këtij viti mbi 27 mijë turistë vendas dhe të huaj. Kjo e kthen vitin 2025 në një nga periudhat me frekuentimin më të lartë që prej hapjes së institucionit.
Drejtoresha e muzeut, Fjoralba Prifti, bëri të ditur se pjesa më e madhe e vizitorëve janë të huaj, ku kryesojnë shtetasit francezë.
“Nga janari deri në shtator kemi pasur 27 mijë vizitorë, një ndër vitet më të mira për nga vizitueshmëria”, deklaroi ajo.
Gjatë këtij viti muzeu ka hapur disa ekspozita të reja, prej të cilave dy vijojnë të jenë ende të hapura. Ndër më të spikaturat është ekspozita “Koleksioni i botimeve religjioze”, që prezanton për herë të parë botime të rralla të përdorura dikur në kishat dhe katedralet e vjetra të vendit.
Po ashtu, fondi i muzeut është pasuruar me ikona dhe vepra të reja të artit mesjetar, duke e bërë përvojën e vizitorëve më të plotë dhe duke forcuar më tej rolin e Korçës si qendër e trashëgimisë kulturore shqiptare.
I hapur më 24 prill 1980, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar konservon një pasuri të çmuar të krijuar nga piktorët shqiptarë ndër shekuj. Në pavijonin e artit ikonografik janë ekspozuar piktura të periudhës pasbizantine (shekujt XII–XIV), ndërsa në total muzeu numëron rreth 7500 objekte artistike, mes tyre 6000 ikona, si dhe objekte prej guri, druri, metalesh të çmuara e kostume folklorike që dëshmojnë traditën dhe origjinalitetin e kulturës qytetare korçare.


