Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, gjatë një vizite në qytetin e Korçës, dha lajmin e mirë për ndërtimin e spitalit të ri rajonal, një investim strategjik që pritet të ndryshojë rrënjësisht sistemin shëndetësor në të gjithë qarkun dhe zonën juglindore të vendit.
Spitali i ri do të jetë një godinë moderne, me standarde europiane, që do të përfshijë një urgjencë të re, pavione të specializuara dhe pavionin e parë të Hemodinamikës në këtë rajon. Investimi do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për pacientët, duke shmangur udhëtimet drejt Tiranës për trajtime të avancuara.
Ministrja Sala theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore dhe ofrimit të kujdesit mjekësor më pranë qytetarëve.
Projekti është pjesë e Buxhetit 2026 dhe konsiderohet ndër ndërhyrjet më të mëdha në fushën e shëndetësisë për rajonin e Korçës.


