Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka komentuar nga Korça ligjin për barazinë gjinore, duke theksuar se çdo iniciativë ligjore në Shqipëri është e harmonizuar me direktivat europiane dhe synon ndërtimin e një shoqërie demokratike në përputhje me vlerat e Bashkimit Europian.
“Në kontekstin e projektit që jemi sot për të ndërtuar një shkollë qytetare që bazohet mbi vlerat më të mira të traditës europiane, në të cilat Shqipëria integrohet, të gjitha projektet që aktorët e shtetit shqiptar, por edhe shoqëria civile e grupet e tjera të interesit, përfshihen në të njëjtën rrugë – atë të Bashkimit Europian,” – u shpreh Kumbaro.
Ajo theksoi se ligji në fjalë ka qenë objekt konsultimesh të gjera dhe u bëri thirrje qytetarëve e mediave të informohen nga burime të sakta:
“Ju duhet të dini që çdo iniciativë ligjore ka një detyrim ligjor, që është bindje politike që ne kemi, të jemi në të njëjtën linjë me direktivat europiane që rregullojnë jetën demokratike në vendet tona. Merreni, lexojeni tekstin e ligjit dhe kështu do e kuptoni më mirë cila është pjesa e dezinformimit që bëhet dhe cila është pjesa e realitetit ligjor. Këtu është roli i rëndësishëm i mediave për të komunikuar.”
E pyetur për shqetësimet që janë ngritur nga disa besime fetare dhe prindër lidhur me përfshirjen e temave të komunitetit LGBT në literaturën shkollore, ministrja Kumbaro u shpreh:
“Merreni, lexojeni ligjin. Të gjitha programet shkollore i kemi të botuara. Ato kalojnë në një proces shumë të gjatë diskutimi dhe trajnimesh nga mësueset. Është e rëndësishme të komunikojmë mesazhin e duhur prindërve dhe klasave, mësuesve, para se të hedhim ‘shashka’ siç janë përpjekur aktorë të ndryshëm. Më vjen keq se dezinformimi për shkak të teknologjisë zë vend më shumë se e vërteta. E vërteta është se çdo gjë kalon në filtra të rëndësishëm dhe është në përputhje me direktivat europiane. Gjithçka që është thënë është e pavërtetë.”
Nga ana e saj, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, komentoi se ligji për barazinë gjinore lidhet me vlerat bazë të Bashkimit Europian për respektimin e dinjitetit dhe mosdiskriminimit:
“Nuk ka një direktivë të posaçme, por është i gjithë korpusi ligjor dhe gjithë direktivat që mbrojnë mosdiskriminimin, mbrojnë vlerat njerëzore. Janë gjithë vlerat e BE që e përfshijnë këtë, aty ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet – trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve,” – theksoi ambasadorja Suard.


