Biblioteka e Fëmijëve “Thoma Turtulli” po i kthehet qytetit e restauruar plotësisht, duke respektuar me përpikmëri çdo detaj të objektit origjinal historik. Ky investim synon ta rikthejë bibliotekën jo vetëm si një hapësirë leximi, por si një qendër moderne edukimi, ku fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të përfitojnë trajnime në fushat e teknologjisë dhe inovacionit.
Përtej rindërtimit fizik, projekti synon të pasqyrojë vizionin e filantropit korçar Thoma Turtulli, i cili ia dhuroi këtë bibliotekë brezave të rinj me dëshirën që të bëhej një vatër e dijes, kulturës dhe krijimtarisë.
Rikthimi i bibliotekës vjen si një shembull inspirues i ndërthurjes midis trashëgimisë dhe zhvillimit, duke ruajtur identitetin historik të objektit dhe duke e përshtatur atë me nevojat bashkëkohore të brezave të rinj.


