Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka inspektuar sot nga afër zonat më të prekura nga përmbytjet në bashkinë Maliq, ku dëmet në argjinatura dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar probleme serioze për komunitetet lokale. Gjatë vizitës në fshatin Sheqeras, ministri theksoi gatishmërinë e strukturave qendrore dhe vendore për përballimin e situatës, ndërsa u kërkua angazhim shtesë të forcave të armatosura.
“Jemi sot në zonën e Maliqit, në argjinaturën në Sheqeras ku ka pasur dëmtime të konsiderueshme. Që në orët e para të shembjes së saj, drejtoria rajonale e kullimit, bashkia Maliq dhe forca të tjera që do shtohen në orët në vijim, janë duke bërë punime rehabilituese,” – deklaroi ministri.
Situata është e përqendruar edhe në zonën e Pyllit të Fazanëve, ku dëmtimet në argjinaturë kanë vështirësuar prurjet nga Dunaveci drejt lumit Devoll. Ministri u shpreh se po riorganizohen forcat në terren dhe po shtohen mjetet e nevojshme për riparimin e dëmeve.
“Po bëjmë një rishpërndarje të forcave duke kërkuar edhe angazhim shtesë nga Forcat e Armatosura. Po vijnë mjete vetëshkarkuese për të ndihmuar me volumet e mëdha që kërkohen për të mbuluar këto dëmtime,” – u shpreh ai.
Vengu paralajmëroi se ditët në vijim do jenë të vështira për shkak të prurjeve të reja uji dhe destabilizimit të tokës.
“Toka është si ‘sfungjer’ dhe është e vështirë të punohet në situata ku terreni është shumë i pastabilizuar dhe i mbushur me ujë. Gjithsesi, po shtojmë forcat që Maliqi të mos ketë problematikë në reshjet që do pasojnë gjatë javës që vjen.”
Sipas vlerësimeve paraprake, rreth 1.500 hektarë tokë rezultojnë aktualisht nën ujë, ndërsa ulja graduale e niveleve të ujërave po krijon hapësirë për rikuperim të argjinaturave.
Në rang kombëtar raportohen 15 ura të dëmtuara, një pjesë prej të cilave të shembura. Ministri bëri të ditur se ka nisur shpërndarja e ndihmave për banorët në nevojë dhe mbështetja për blegtorët e prekur.
“Ka filluar shpërndarja e ndihmave. Kemi kërkuar nga bashkitë të bëjnë kërkesat për ushqimet për blegtorinë, koncentrat për fermerët e prekur. Janë dy grupet më të prekura dhe strategjia jonë është t’u qëndrojmë pranë,” – shtoi Vengu.
Duke folur për projektbuxhetin 2026, ministri paralajmëroi se bashkitë me risk të lartë për emergjencat civile do të përfitojnë fonde shtesë në mënyrë të drejtë dhe të diferencuar.
“Në projektbuxhetin 2026 kemi një qasje të re për mbështetjen e bashkive, sidomos atyre me më shumë risk për emergjencat civile, me fonde shtesë dhe një shpërndarje investimesh më të drejtë se në të kaluarën.”
Pavarësisht përmirësimit të përkohshëm të motit, Vengu nënvizoi se vendi nuk është jashtë rrezikut.
“Presim ende reshje, nuk jemi jashtë rrezikut. Thjesht është një moment dielli që na mundëson të vazhdojmë punën në terren.”
Ndërhyrjet vazhdojnë në terren, ndërsa autoritetet qendrore dhe vendore mbeten në gatishmëri të plotë. Situata monitorohet në kohë reale dhe pritet që, në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike, të ndërhyhet me forca shtesë.


